Shkolla e Magjistraturës, më datë 2 korrik 2026, zhvilloi aktivitetin trajnues me temë: “Hetimi dhe ndjekja penale e veprave penale me armë zjarri. Respektimi i kushteve dhe kritereve të caktimit të masave të sigurimit për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës në Tiranë.
Ky aktivitet u drejtua nga:
Ekspertë: Ylli Pjetërnikaj, Olgert Rumnici
Lehtësues: Gjergji Ceka
Qëllimi i këtij trajnimi është: Kuptimi i veprave penale të kryera me armë zjarri, në veçanti fokusuar te vepra penale e mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve, zbatimi i rrethanave cilësuese të figurave të veprës penale të parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal dhe vepra penale e trafikimit, protokollet e hetimit dhe administrimit të provave materiale armë zjarri, rëndësia e ekspertimeve balistike, si dhe risi nga projektkodi penal.
Metodologjia e trajnimit do të ndërtohet mbi kombinimin e prezantimeve tematike, diskutimit të orientuar dhe ushtrimeve praktike.
Gjatë këtij aktiviteti trajnues u trajtuan tema të ndryshme, si:
- Aspekte të kuptimit të elementëve përbërës të veprave penale me armë zjarri në funksion të hetimit dhe gjykimit të këtyre veprave;
- Shqyrtimi i akteve ndërkombëtare veçanërisht konventa e OKB kundër krimit të organizuar dhe protokolli kundër prodhimit të paligjshëm dhe trafikimit të armëve të zjarrit;
- Gama e kategorive të armëve të reja, armët e printuara 3D, mënyra e vlerësimit të përgjegjësisë penale për to;
- Aspekte të ekspertimeve balistike në veprat penale me armë zjarri, rëndësia e tyre, të dhënat që përftohen; pyetjet që duhen zhvilluar sipas standardeve ndërkombëtare;
- Protokolli i hetimit të veprave penale me armë zjarri; zinxhiri i marrjes dhe administrimit të provës materiale armë zjarri sipas standardeve ndërkombëtare;
- Qasje krahasuese e dispozitave aktuale me dispozitat relevante të projekt-kodit të ri penal. Aspekte të interpretimit të nenit 278 të Kodit Penal aktual;
- Kuptimi i armëve të zjarrit, pjesëve përbërëse të tyre sipas ligjit nr. 74/2014; Kuptimi i disa rrethanave cilësuese në veprën penale të mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit. Mënyra e zbatimit të tyre gjatë hetimit dhe gjykimit në raport me praktikën gjyqësore;
- Aspekte të kuptimit të trafikimit dhe elementët përbërës të veprës penale; Aspekte të hetimeve të veprave penale me armë zjarri në përputhje me konstatimet e vërejtura nga praktika hetimore dhe gjyqësore;
- Diskutime mbi konceptin e bashkëpunimit në veprat penale me armë zjarri. Praktikat dhe mënyrat e zhvillimit të hetimit;
- Diskutime mbi rrezikshmërinë e veprave penale me armë zjarri në raport me kushtet dhe kriteret për caktimin e masave të sigurimit në përputhje me vendimin e fundit unifikues të Gjykatës së Lartë.
Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë gjyqtarë dhe prokurorë të Republikës së Shqipërisë.






Shkolla e Magjistraturës